Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka udhëtuar për një vizitë zyrtare
në Londër, me ftesë të sekretarit të Punëve të Jashtme, William Hague.

Sipas raportimeve të “RTK”, qëllimi i kësaj vizite është thellimi i bashkëpunimit midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Republikës së Kosovës në sferën ekonomike dhe politike.

Gjithashtu, forcimi i mbështetjes për njohjen e mëtejshme të Kosovës dhe perspektiva e avancimit të saj në proçesin e integrimit euroatlantik do të jenë temë bisedimesh.

Ndërkohë, nga fillimi i javës së ardhshme kryeministri Thaçi do të nisë një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara, me takime të nivelit të lartë në Uashington.

Më pas ai do të shkojë në shtetin Ajouas, partner ushtarak i Kosovës, për ta përfunduar turin me pjesëmarrjen në seancën për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në Nju Jork.

Në këtë seancë do të diskutohet raporti i radhës i sekretarit të përgjithshëm Ban Ki Moon për Kosovën, pas marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve të arritur me Serbinë.

Në një pjesë të raportit, të publikuar më herët gjatë muajit nga mediat kosovare, Ki Moon vlerëson marrëveshjen në fjalë, duke e cilësuar atë si “historike”. “Kjo është një arritje historike.

Përgëzoj udhëheqjen politike në Prishtinë dhe Beograd që treguan durim, largpamësi politike dhe bënë gjënë e duhur për të bërë të mundur një progres të vërtetë”, thotë Ki Moon në raportin e tij.

Top Channel