SHBA do nisë dialogun me Venezuelën

06/06/2013 00:00

Shtetet e Bashkuara do të nisin dialogun me Venezuelën për të rivendosur
ambasadorët në kryeqytetet përkatëse, ka deklaruar sekretari amerikan i
Shtetit, John Kerry.

Ai ka folur pasi Venezuela liroi dhe dërgoi në SHBA një producent filmash që ishte arrestuar nën akuzën e komplotimit. Zoti Kerry mirëpriti lirimin e Timothy Tracy duke e cilësuar atë si një “zhvillim pozitiv”.

Marrëdhëniet mes Amerikës dhe Venezuelës kanë qenë në nivelet minimale në vitet e fundit, me ambasadorët respektivë që ishin tërhequr nga dy qeveritë në vitin 2010.

Më herët gjatë vitit Uashingtoni acaroi Karakasin duke mbështetur kërkesën e opozitës venezueliane për një rinumërim të plotë të votave të zgjedhjeve presidenciale të prillit, të mbajtura për të gjetur zëvendësin e Hugo Chavez, që vdiq në mars.

Nicolas Maduro, i konsideruar si pasardhës i zotit Chavez, fitoi zgjedhjet me më pak se dy për qind avantazh. Megjithatë, gjatë një samiti në Guatemalë zoti Kerry tha se kishte rënë dakord me ministrin e Jashtëm Elias Jaua për nisjen dhe vazhdimin e një dialogu, “me qëllim vendosjen e marrëdhënieve më pozitive dhe konstruktive”.

“Shtetet e Bashkuara duan të nisin sa më shpejt dialogun mes dy vendeve, me shpresë që të vendosim ambasadorët në dy kryeqytetet”, deklaroi zoti Kerry.

Zoti Jaua tha nga ana e tij se për Venezuelën është e rëndësishme të vendosë me Shtetet e Bashkuara marrëdhënie të bazuara në parimin e respektit reciprok dhe jo në atë të ndërhyrjes në çështjet e brendshme.

Top Channel