Rusi, gjyqi ndaj kundërshtarëve të Putin

06/06/2013 16:00

12 rusë u paraqitën të enjten në gjykatë, për t’u përballur me akuzat për vandalizëm, gjatë manifestimeve të mbajtura kundër presidentit Putin, gjatë vitit 2012.

Dhjetë prej të pandehurve u paraqitën në gjykatë brenda një “kafazi” prej qelqi, i njohur ndryshe si “akuariumi”, i përdorur përgjithësisht për të pandehurit e krimeve të rënda.

Kritikët e presidentit thonë se çështja “Bolotnaya”, siç quhet edhe emri i sheshit ku ndodhën përballjet, i ngjason gjyqeve spektakolare të kohës së regjimit sovjetik.

Sipas policisë, protestuesit qëlluan forcat e rendit me shufra metali dhe gurë, një ditë përpara se Putin të betohej në mandatin e tij të tretë në drejtimin e vendit.

Përveç akuzës së vandalizmit, mbi të pandehurit rëndon edhe akuza e organizimit të trazirave publike dhe dhunës ndaj policisë, e disa prej të akuzuarve rrezikojnë një dënim deri me tetë vjet heqje lirie.

Nga ana e tij, Putin ka reaguar mbi këtë çështje duke thënë se ndërsa mbështet të drejtën për të protestuar, i duket e papranueshme që të pranohet dhuna ndaj forcave të rendit.

Përpara nisjes së gjyqit, Televizioni Shtetëror Rus transmetoi disa pamje, në të cilat pretendohet se protestuesit paguhen nga një biznesmen gjeorgjian, për të organizuar trazira.

Sipas televizionit, paratë janë sponsorizuar direkt prej shtetit amerikan.

Top Channel