Pekini denoncon sulmet kibernetike amerikane

06/06/2013 15:45

Pekini reagoi këtë të enjte ndaj akuzave të Uashingtonit për organizimin e sulmeve kibernetike ndaj disa departamenteve shtetërore prej Kinës, duke theksuar se edhe në Kinë janë mbledhur prova për sulme të njëjta nga ana e amerikanëve.

Deklarata e një zyrtari të lartë kinez vjen përpara një takimi të rëndësishëm, midis presidentëve Barack Obama dhe Xi Jinping, më vonë gjatë kësaj jave.

”Sulmet kibernetike amerikane kanë qenë po aq të rënda dhe të sofistikuara, sa ato që SHBA pretendon se janë realizuar nga pala jonë”, raportoi e përditshmja “China Daily”.

”Ne kemi një mal me të dhëna dhe mund të akuzojmë kur të duam Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por nuk mendojmë se diçka e tillë do të ndihmojë në zgjidhjen e problemit”, deklaroi Huang Chengqing, drejtori i Sektorit të Përgjigjes së Shpejtë Kibernetike Kineze, për këtë të përditshme.

Më parë gjatë majit, një raport i detajuar i paraqitur në Senatin Amerikan, pretendonte se Kina është duke sponsorizuar një rrjet të gjerë shtetëror hackerash, për të vjedhur sekrete ushtarake dhe për të goditur sektorë të ndryshëm të ekonomisë amerikane.

Top Channel