Ligjërata e imamit të xhamisë së Prizrenit, Irfan Salihu për femrat shqiptare, e mbushur me fjalë ofenduese dhe etiketime për mungesën e moralit, ka nxitur reagimin e deputeteve të Kuvendit të Kosovës.

Deputetja e LDK-së Teuta Sahatqija, në emër të grupit të saj tha se ligjerata e hoxhë Irfan Salihut nuk i përngjanë një predikuesi të fesë muslimane.

Ajo kërkoi që feja të shfrytëzohet për lutje për paqe dhe jo të predikohen fyerjet. “Atë që kemi dëgjuar nga hoxhë Irfan Salihu është totalisht e kundërta e asaj si unë dhe shumica e qytetarëve që e njohim fenë myslimane apo cilën do fe tjetër në Kosovë. Inçizimi ishte një breshëri emocioneve të shfrenuara të urrejtjes që aspak nuk i përngjajnë një predikuesi të fesë, përkundrazi ishte një predikim i dhunës, konstatimeve fyese deri në palcë, kur i quan 92 % të vajzave me fjalë që edukata ime nuk më lejon t’i përdor dhe në të njëjtën kohë i amniston burrat e djemtë dhe i udhëzon që t’i gjuajnë rrugës dhe të ushtrojnë dhunë ndaj grave të veta”, theksoi Sahatqija.

Në të njëjtën mënyrë kanë reaguar edhe deputetet e partive të tjera të cilat kanë kërkuar nga Bashkësia Islame e Kosovës të ndërmarrë masa kundër hoxhës.

Në mbrojtje hoxhes i doli deputeti i Partisë së Drejtësisë, Gëzim Kelmendi. Duke iu drejtuar grave deputete, ai tha se këto gra para se të kërkojnë nga Bashkësia Islame përgjegjësi, duhet t’i kërkojnë fajle popullit që kanë votuar kundër mbajtjes së mbulesës në shkolla dhe kanë lënë shumë vajza jashtë shkollimit.

Bashkësia Islame e Kosovës ka premtuar se do të ndërmarrë masa ndaj hoxhes, i cili nga xhamia ofendoi femrat shqiptare duke i cilësuar të pamoralshme.

Top Channel