Kuvendi i Kosovës ka miratuar të enjten rezolutën lidhur me të drejtat
elementare të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Rezoluta për të drejtat e shqiptarëve në jug të Serbisë është hedhur në votim sot, pasi javën e kaluar nuk kishte pajtim mes grupeve parlamentare rreth përmbajtjes së saj.

Sipas raportimeve të “REL”, teksti i rezolutës është lexuar nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, autor i kësaj nisme.

Fillimisht rezoluta kërkon shtimin e kujdesit shtetëror të Kosovës për shqiptarët e tri komunave në jug të Serbisë, të njohura me termin Lugina e Preshevës.

Ndër të tjera, ajo parasheh edhe vendosjen e reciprocitetit mes të drejtave që gëzojnë serbët në veri të Kosovës me shqiptarët në Luginë.

Ndër kërkesat kryesore të rezolutës është edhe lirimi i të burgosurve politikë që mbahen nëpër burgjet e Serbisë, si dhe që Këshilli i Evropës të hetojë respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë.

Rezoluta kërkon gjithashtu që Kosova të kujdeset për të zhvendosurit nga Lugina e Preshevës, të mundësohet shkollimi dhe mirëqenia për ta, si dhe të hapen zyra në Prishtinë e Gjilan që të punojnë për këtë qëllim.

Njëherësh është kërkuar që qeveria e Kosovës të heqë taksën prej 20 euro në javë që qytetarët nga Lugina e Preshevës duhet të paguajnë për kalimin e kufirit nga Serbia për në Kosovë. Rezoluta ka marrë 74 vota pro dhe 4 kundër.

Top Channel