Një trup gjykues i përbërë prej gjyqtarëve të EULEX-it dhe atyre vendorë ka vendosur të enjten paraditë që t’i lirojë nga arresti shtëpiak dhjetë ish-pjestarët e UÇK-së, të akuzuar për krime lufte në rastin që njihet si Kleçka.

Dhjetë ish-pjestarët e UÇK-së: Fatmir Limaj, Arben, Naser e Nexhmi Krasniqi, Behlul Limaj, Refki Mazreku, Naser, Sabit e Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj tashmë do të jenë të lirë në pritje të përfundimit të procesit gjyqësor ndaj tyre.

Siç njofton misioni europian, EULEX, prej tash dhe deri në përfundimin e gjykimit kryesor, ata janë të detyruar që çdo ditë të paraqiten në stacionin më të afërt policor dhe se pasaportat e tyre mbeten të konfiskuara e ata nuk mund të largohen nga Kosova.

Tahir Rrecaj, njëri nga avokatët e Fatmir Limajt, aktualisht deputet i PDK-së dhe që gjatë luftës njihej me nofkën komandant Çeliku, ka thënë për “Top-Channel” se më 3 korrik do të vazhdojnë seancat për këtë rast, ndërsa presin që deri në fund të korrikut të ketë një vendim.

”Eshtë caktuar data 3 korrik për çështjen e radhës dhe besojmë se gjatë muajit korrik, do të përfundojë edhe gjykimi për çështjen “Kleçka”. Unë besoj fuqishëm se rigjykimi nuk ka sjellë asnjë provë për të provuar fajësinë e zotit Limaj”, deklaroi njëri prej avokatëve mbrojtës, Tahir Rrecaj.

Në nëntor të vitit të kaluar një trup, Gjykues i Gjykatës Supreme, si shkallë e dytë, pati prishur vendimin e Gjykatës së Qarkut, si shkallë e parë, që pati liruar si të pafajshëm të gjithë ish pjestarët e UÇK-së.
 

Top Channel