Francë, papunësia, rekord 15-vjeçar

06/06/2013 15:30

Papunësia në Francë u rrit në nivelin e 10,8% në tremujorin e parë të vitit, niveli më i lartë ky që prej vitit 1998.

Norma e papunësisë u rrit nga 10,5% në periudhën tetor-dhjetor 2012, treguan të dhënat zyrtare të Agjensisë Franceze të Statistikave “Insee”.

Ndërkohë, ekonomia franceze kaloi zyrtarisht në recesion, duke regjistruar një rënie prej 0,2% në tremujorin janar-mars.

Presidenti Francois Hollande premtoi rikthimin e rritjes ekonomike dhe zvogëlimin e papunësisë kur fitoi mandatin në vitin 2012, por deri më tani, përpjekjet e tij për të nxitur ekonominë janë minuar nga thellimi i krizës së Eurozonës.

Sipas “Eurostatit”, Agjensisë Europiane të Statistikave që përdor një metodë përllogaritje lehtësisht më të ndryshme, papunësia në Francë është tashmë prej 11% të forcës aktive.

Këto të dhëna vijnë përpara takimit të radhës të bordit të Bankës Qëndrore Europiane, që pritet të konfirmojnë mbajtjen e normës bazë të interesit në nivelin më të ulët ndonjëherë, prej vetëm 0,5%.

Parashikimet për ekonominë franceze, për vitin aktual dhe vitin në vazhdim mbeten pesimiste, ndërsa parashikohet që Prodhimi i Brendshëm Bruto i ekonomisë së dytë më të madhe të Eurozonës të humbë 0,2% në 2013-n, për t’u rikthye me një rritje prej 0,8% në 2014-n.

Top Channel