Britania, falje për torturat në Kenia

06/06/2013 04:50

Qeveria britanike pritet të kërkojë falje dhe të paguajë kompensim për të torturuarit gjatë trazirave “Mau Mau” në Kenia, gjatë viteve ’50.

Sekretari i Jashtëm britanik, William Hague, pritet të bëjë publik kompensimin prej afro 14 milionë paundësh. Më shumë se 5 mijë kenianë kanë thënë se u keqtrajtuan, disa prej të cilëve u torturuan, nga administrata britanike e viteve ’50.

Britanikët luftuan në një betejë të ashpër ndaj kryengritësve “Mau Mau”, të cilët kërkuan tokën e tyre dhe fundin e sundimit kolonial.

Viktimat kanë luftuar për kompensim me qeverinë britanike prej disa vitesh. Por, vetëm tani Hague pritet të shprehë “keqardhjen e sinqertë” për viktimat, ndërkohë që do të shpallë edhe paketën e kompensimit në të ardhura.

Qeveria kishte argumentuar fillimisht se të gjitha detyrimet për tortura nga autoritetet koloniale janë transferuar te Republika keniane, që prej shpalljes së pavarësisë në 1963 dhe se tashmë nuk mund të nxirren përgjegjësit.

Top Channel