Tregtia e armëve konvencionale

05/06/2013 01:30

Përfaqësues nga më shumë se 60 vende të botës nënshkruan, në selinë e OKB-së në Nju Jork, marrëveshjen e parë globale për tregtinë e armëve konvencionale, një tregti me vlerë prej 70 miliardë dollarësh.

Shqipëria ishte në mesin e vendeve nënshkruese të këtij traktati, ndërsa Shtetet e Bashkuara, eksportuesi më i madh i armëve në botë, nuk firmosën.

Kreu i diplomacisë amerikane, John Kerry, u shpreh se vendi i tij do të nënshkruajë, kur të përfundojë përkthimi zyrtar i dokumentit.

“Zëri i Amerikës” thotë se eksportues të tjerë të mëdhenj, si Rusia dhe Kina, dhe importues të mëdhenj, si India, Arabia Saudite, Indonezia dhe Egjipti, abstenuan.

Në deklaratë sqarohej se traktati është “një kontribut i rëndësishëm për çrrënjosjen e tregtisë së paligjshme të armëve konvencionale, që nxit konflikte, fuqizon ekstremistë të dhunshëm dhe kontribuon në shkeljen e të drejtave të njeriut”.

Shoqata Kombëtare e Armëve, një organizatë e fuqishme amerikane pro-grupeve të lobimit për armëmbajtje, e kundërshton traktatin dhe thotë se do të përpiqet të bllokojë ratifikimin e tij në Senat.

Top Channel