SHBA, Rice këshilltarja e Obamës për sigurinë

05/06/2013 15:50

Ambasadorja e përhershme e Shteteve të Bashkuara në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Susan Rice, pritet të shndërrohet në këshilltaren më të lartë të presidentit Barack Obama mbi sigurinë kombëtare.

Emri më i përfolur për të zëvendësuar Sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton, që vendosi të jepte dorëheqjen në fillimin e mandatit të dytë të Obamës, Rice do të shndërrohet kështu në një prej personave me më shumë ndikim në politikën e jashtme amerikane.

Ajo humbi mundësinë për t’u bërë Sekretare e Shtetit, pozicion i mbajtur aktualisht nga ish-kandidati për president, John Kerry, pasi gaboi kur tha se sulmi mbi konsullatën amerikane në Bengazi, Libi, ishte zhvilluar në mënyrë spontane, si rrjedhojë e tërbimit të turmës.

Provat e mëvonshme treguan se sulmi, në të cilën mbeti i vrarë ambasadori Christpher Stevens, ishin të bashkërenduara e të organizuara imtësisht nga disa njësi terroriste.

Rice do të zëvendësojë në pozicionin e këshiltares Tom Donilon, i cili pritet të japë dorëheqjen në ditët në vazhdim, pas tre vitesh shërbim në këtë detyrë.

Ndërkohë, të mërkurën, Shtëpia e Bardhë konfirmoi se do të jetë Samantha Poëer, një ish-këshilltare presidenciale dhe një prej mbështetësve më të mëdha të të drejtave të njeriut, në pozicion aktual të Rice, si ambasadore e përhershme në OKB.

Top Channel