Pakistan, Sharif pritet të betohet si kryeministër

05/06/2013 03:55

Nawaz Sharif pritet të betohet si kryeministri i ri i Pakistanit, të mërkurën, pas fitores së papritur me një diferencë të madhe votash në zgjedhjet e përgjithshme të muajit të kaluar.

Emërimi i tij do të miratohet nga anëtarët e rinj të zgjedhur të parlamentit.

Sharif përballet me shumë sfida të vështira, përfshi këtu rigjallërimin e ekonomisë së dobët, si dhe dhënien fund të sulmeve të militantëve dhe atyre të dronëve (avionë të telekomanduar) amerikanë.

Ai bëhet kështu kryeministër për herë të tretë, dicka e paprecedent, pas fitores së zgjedhjeve në maj. Prioritetet e tij do të jenë rinovimi i ekonomisë dhe përmirësimi i sigurisë në vend, dy fusha që kërkojnë disa vendimmarrje të shpejta dhe të vështira, në një mjedis gjeo-strategjik të formuar dhe të kontrolluar nga ushtria.

Ndërkohë që kryeministri i ri është në favor të bisedimeve me talebanët pakistanezë, shumë të tjerë presin që, sapo ai të marrë pushtetin, ai do të pranojë pikëpamjen e ushtrisë se, të gjitha negociatat e mëparshme kanë dështuar dhe se opsioni i vetëm është luftimi i xhihadistëve, që sulmojnë objektiva të brendshme.

Ai vjen në fuqi në një moment kritik, në luftën kundër talebanëve, pasi forcat e NATO-s kanë nisur procesin e tërheqjes nga Afganistani.

Sharif ka folur vazhdimisht kundër sulmeve amerikane me dronë në Pakistan, edhe pse nuk e ka ende të qartë se si mund t’i japë fund këtyre ngjarjeve.

Projektet infrastrukturore janë një tjetër prioritet i rëndësishëm, pasi ai kërkon t’i japë fund ndërprerjeve të energjisë dhe të ndërtojë një tren për transportin e plumbit nga Karachi në Peshawar.

Top Channel