Dëmtimi i Debatik Currit në seancën e të martës ka prishur disi planet e trajnerit De Biazi para ndeshjes me Norvegjinë, pasi mendohet se shtatlarti mund të ishte zëvendësuesi më i mirë i Canës i pezulluar për shkak të kartonave.
Gjithsesi kjo situatë nuk e shqetëson mbrojtësin Mërgim Mavraj, i cili thekson se grupi është më i rëndësishëm se individi.
“Ndeshjet e fundit kanë treguar që pak gola kemi pësuar dhe ky nuk është shkaku i Lilës, Canës apo Mavrajt, por e gjithë skuadrës që mbron e gjitha portën ndaj jam shumë optimist se mund t’ia dalim, pavarësisht këtyre mungesave”, u shpreh qendërmbrojtësi i kombëtares.
Mavraj u është përgjigjur në distancë edhe dy futbollistëve shqiptarë që luajnë me Norvegjinë të cilët në mediat vendasve kanë deklaruar se do të bëjnë të pamundurën për të fituar në Qemal Stafa.
“Paskan folur si duhet, duke qenë se mendojnë për të pamundurën, pikërisht ashtu do të jetë për ta, e pamundur”, ironizoi Mavraj.
“Do të kemi të njëjtin përqëndrim si në ndeshjen që luajtëm atje, ku fituam duke pasur vetëm atë ndeshje në mendje. Tani kemi disa ndryshime në lojtarë, por nuk mendoj se ky mund të jetë një problem”, theksoi Basha.
Ndeshja Shqipëri – Norvegji do të luhet ditën e premte në orën 20:30 në “Qemal Stafa” dhe do të gjykohet nga një 3-she gjyqtarësh skocezë.
Në po të njëjtën ditë, Islanda do të përballet me Slloveninë e vendit të fundit, ndërsa me dt. 8 Zvicra do të ndeshet me përfaqësuesen qipriote.
Top Channel