Lleshi: Vendimi në bazë të kodit

05/06/2013 23:20

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga mbledhja e radhës, ka reaguar për vendimmarrjen e institucionit që ajo drejton, për pasqyrimin e fushatës zgjedhore nga mediat private.

Zonja Lleshi tha se në këtë vendim, KQZ i është referuar kodit zgjedhor, të miratuar me konsensus nga partitë politike.

“Dhe atë çfarë ka relatuar në vendim Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka qenë posaçërisht neni 84, dhe konkretisht ‘informacionet mbi aktivitete të fushatës zgjedhore, që përgatiten dhe transmetohen në edicionet informative, bazuar në materiale të vëna në dispozicion nga subjektet zgjedhore’, që këtu merr fund gjithçka. Pra keqinterpretimet o bëhen me dashje, ose bëhen nga padijenia”, shprehet Lleshi.

Por, ky citim i këtij neni nuk është i plotë. “Informacionet mbi aktivitete të fushatës zgjedhore, që përgatiten dhe transmetohen në edicionet informative, bazuar në materiale të vëna në dispozicion nga subjektet zgjedhore, duhet të identifikohen qartë, në përputhje me udhëzimet e KQZ-së”, – thotë neni 84 i kodit, të cilit i është referuar vendimmarrja e institucionit më të lartë zgjedhor.

Ky udhëzim mungoi në vendim, vendim i cili nuk mori parasysh as propozimin e përfaqësuesit të PS, që të paktën televizioneve t’u lihej e drejta e vendimit për të transmetuar ose jo materiale të përpunuara nga partitë dhe nuk mori në konsideratë as vendimin gjyqësor të kolegjit të vitit 2011, duke e adresuar sërish te ky institucion për të njëjtën çështje.

“Në qoftë se vendimet e KQZ-së duhet të kontestohen, duhet të bëhen nga palët që janë në proces dhe i drejtohen Kolegjit Zgjedhor. Ato nuk mund të keqinterpretohen”, tha Lleshi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shtyrë për në ditët e ardhshme, miratimin e raportit të monitorimit të medias, për javën e parë të fushatës zgjedhore.

Kjo, pasi raporti paraqiste vetëm minutazhin e pasqyrimit të fushatës në media, në rang koalicionesh. Palët kërkuan, që kjo të bëhet e detajuar për partitë politike, nisur edhe nga fakti se koalicionet nuk tregojnë se si realisht është pasqyruar fushata, pasi ato nuk kanë të njëjtën numër partish.

Ndërsa, në pasqyrimin e aktiteteve politike të partive, televizioni TCH ka qene i balancuar dhe transparent, me minutazhin për secilën forcë politike të treguar edhe në ekran, në raportin për pasqyrimin e koalicioneve, bordi propozon që Top Channel duhet të kompensojë kohën në favor të “Aleancës për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim” me 15 minuta.

Por, bordi shton se në monitorim nuk është përfshirë aktiviteti i kryetarit të Bashkisë Tiranë, Lulzim Basha, për mungesë të kapaciteteve teknike, çka bordi thotë se do ta rekuperojë në pjesën e mbetur të fushatës.

Top Channel