Qeveria e Kosovës garanton se ligji për amnisti do të hartohet për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe pa dallime territoriale për vepra të caktuara, të cilat do të përfshihen në të.

Ministri i Drejtësisë, njëherësh zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi të hënën e ardhshme do të raportojë për këtë çështje në komisionin parlamentar për legjislacion.

Duke folur në mbledhjen e radhës së qeverisë, Kuçi tha se amnistia është një kategori kushtetuese, ndërsa ligji i cili do të përcaktojë veprat penale që do të amnistohen kërkon konsensus të gjërë politik.

“Amnistia do të përfshijë të gjithë territorin e Kosovës edhe në aspektin kohor të gjitha periudhat që ne mendojmë se duhet të amnistohen. Nuk do të ketë dallim etnike apo territoriale”, deklaroi Kuçi.

Numri dy i qeverisë po kështu kërkoi nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që t’i japin mbështetje të plotë ratifikimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi.

“Marrëveshja ka shkuar në komisionin legjislativ. Unë do të shkoj të hënën të prezantoj qëndrimin e Kosovës, i cili përcakton afatet kohore, aktorët që duhet t’i kryejnë punët e tyre dhe po ashtu imlementuesit vendorë e ndërkombëtarë. Ky projektligj është një prej zotimeve tona që këtë marrëveshje ta ratifikojmë ashtu siç parashikohet në Kushtetutë”, nënvizoi Kuçi.

Qeveria e Kosovës e ka dorëzuar projektligjin e marrëveshjes së 19 prillit dhe planin zbatues në Kuvend, por kjo çështje ende nuk ndodhet në axhendë për proçedim të mëtejshëm.

Sa i përket rendit të ditës të anëtarëve të kabinetit qeveritar, qeveria miratoi vendimin për dizajnin e unifomrës policore, unifomrës së punës, uniformës solemne dhe uniformës së togës së nderit të Policisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës po kështu i rekomandoi presidentes dhënien e autorizimit për ministrin e FSK-së për kryerjen e veprimeve të ndërlidhura me marrëveshjen ndërkombëtare për statusin e anëtarëve të forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe FSK-së gjatë qëndrimit të tyre të përkohshëm në territorin e shteteve respektive.

Top Channel