Pas një debati të gjatë, anëtarët e Komisionit Parlamentar për Mbikqyrjen e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë me 3 vota pro, 3 kundër dhe 1 abstenim proceduan për në Kuvend projektligjin për Përgjimin e Telekomunikimeve.

Deputetët e partive opozitare, LDK dhe AAK, kundërshtuan këtë projektligj, kurse ata nga pozita e dhanë votën e tyre pro. Burim Ramadani nga AAK ka kundërshtuar projektligjin pasi sipas tij përgjimet duhet të bëhen përmes dy qendrave administrative duke i ndarë në përgjime inteligjente dhe përgjime gjyqësore-penale dhe jo siç është në projektligj që kjo të bëhet përmes një qendre.

“Po ju them se që ky draft-ligj është i mentalitet totalitar. Ky draft-ligj duhet të kthehet, nëse e ndryshojmë nuk njohim ligjin. E ndryshon modelin, nuk e ndryshon a është vetëm një qendër apo dy. Nëse janë dy qendra, është model tjetër; nëse një, është model krejt tjetër”, Ramadani.

Ndërsa anëtari i këtij komisioni nga radhët e pozitës, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se Raporti i Progresit kërkon që Kosova të ketë legjislacion për fushën e përgjimeve të telekomunikimit, ndërsa ka shtuar se është për rregullimin e Dhomës Administrative të Përgjimeve në formën si i nevojitet më së miri vendit: “2-3 dhoma administrative le t’i ketë gjyqësia sepse asnjë përgjim nuk do të bëhet pa vendimin e gjykatave është çështje e definuar. A do ta ketë Policia të veten dhomën administrative, a do ta ketë AKI-ja të vetën, EULEX-i të veten? Ju vendosni dhe bëjani të qartë qytetarëve”.

Në anën tjetër, Haki Demolli deputet nga radhët e LDK-së, ka kundërshtuar Projektligjin, ndërsa ka shtuar se është tregues për të momenti i sjelljes së këtij Projektligji në Kuvend që ka ndodhur pas aferës së përgjimeve vitin e kaluar. Sidoqoftë, për Projektligjin në fjalë tashmë do të vendosin deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Top Channel