Dikush më pak e dikush më shumë, por politikanët e Kosovës në secilin vit paraqiten më të pasur se viti që ka mbetur pas. Regjistrat e 1900 zyrtarëve publikë të deklarimit të pasurisë janë publikuar në faqen e internetit të Agjencisë Kosovare të Korrupsionit.

Nisur nga politikani më milioner i Kosovës, Behgjet Pacolli, nëse krahasohet me deklarimin e pasurisë një vit më pare, ai ka dyfishuar pasurinë e tij. Pa pasuri të luajtshme e të paluajtshme si dhe pa para’ të gatshme në banka nuk mbeten as përfaqësuesit e tjerë të shtetit. Presidentja e Kosovës, Ahtifete Jahjaga, në formularin e vitit 2013 prezanton pagën nga pozita që mban, pagën mujore të bashkëshortit si mjek dhe si asistent në fakultet. Nga këto të ardhura presidentja, në ndryshim nga viti i kaluar, ka arritur të grumbullojë 47mijë 800 euro para të gatshme në institucionet financiare, një rubrikë kjo me vetëm 700 euro të deklaruara në 2012-n.

Para’ të gatshme në bankë ka edhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në vlerë prej 7000 eurosh së bashku me bashkëshorten e tij, ndonëse ai akoma e ka kredinë prej 100 mijë eurosh për shtëpinë në ndërtim e me hapësirë 700 metra katrorë. Bazuar në atë çfarë ka deklaruar kryeministri Thaçi, ai e ka të vështirë ta mbulojë kredinë në vlerë 100 mijë euro e cila është me kohëzgjatje prej 120 muajsh. Një përllogaritje e thjeshtë tregon se kësti mujor i kredisë është rreth 1500 euro, shumë kjo më e madhe se paga mujore e kryeministrit prej 1400 eurosh të cilën kryeministri e ka deklaruar si të vetmen të ardhur.

Por pagë më të madhe vjetore ka bashkëshortja e kryeministrit, Luminje Thaçi. Zonja Thaçi jep mësim në një institucion privat arsimor përkundrejt pagës vjetore prej 18 mijë eurosh. Edhe zëvendëskryeministri nga radhët e komunitetit serb, Sllobodan Petroviç, ka deklaruar se 36 mijë euro i ka të gatshme në institucione financiare. Edhe Petroviç ka deklaruar se ka dy kredi në banka prej 10 mijë eurosh. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, vazhdon t’i ketë 18 mijë euro si para’ të gatshme, sikurse vitin e kaluar nga ana tjetër edhe ai ka detyrime financiare ndaj bankave.

Ndërkohë që Agjencia nuk ka publikuar ende pasurinë e kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafës, pasuria e kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurtit, sipas formularit, është vetëm paga prej deputeti dhe kolumnisti në një gazetë. Sipas formularit, Kurti nuk ka shtëpi apo banesë të veten, nuk ka makinë personale, kredi në bankë apo pasuri të luajtshem apo të paluajtshme.

Top Channel