Ish-shefi i shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, Bislim Zyrapi ka dëshmuar të mërkurën në Prishtinë në proçesin që po zhvillohet ndaj Fatmir Limajt dhe ish-bashkëluftëtarëve të tij, i njohur ndryshe si rasti “Kleçka”.

Gjatë dëshmisë së tij Zyrapi ka mohuar që Fatmir Limaj të ketë keqtrajtuar njerëz gjatë luftës dhe që të ketë pasur kompetenca ekzekutive gjatë kohës kur ka qenë drejtor i policisë ushtarake.

Sipas raportimeve të “RTK”, Zyrapi ka mohuar gjithashtu të gjitha akuzat ndaj bashkëluftëtarëve të Limajt, të ngritura nga prokurori i EULEX-it, Maurizo Salustro.

Për dëshminë e Bislim Zyrapit trupi gjykues ka rezervuar dy ditë. Të mërkurën ai është marrë në pyetje nga pala e akuzës, ndërsa në seancën e radhës do t’u përgjigjet pyetjeve të palës mbrojtëse.

Ndërkohë, avokati mbrojtës i Fatmir Limajt, Tahir Rrecaj ka bërë me dije se trupi gjykues i ka dhënë mbrojtjes afat deri më 14 qershor që të bëjë propozimin e dëshmitarëve.

“Ne si avokatë mbrojtës ende nuk kemi vendosur nëse do të propozojmë ndonjë dëshmitar apo jo. Ne kemi marrë një kërkesë nga gjykata që deri më 14 qershor, nëse do të kemi ndonjë dëshmitar, ta propozojmë. Në këtë drejtim ne jemi edhe në fazën e konsultimeve”, ka deklaruar Rrecaj.

Top Channel