Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Beograd, Michael Kirby ka deklaruar se Amerika, po të ishte pjesë e BE-së do të votonte për zgjerimin, duke shprehur mbështetjen për integrimin e Serbisë.

Në konferencën “Serbia dhe Bashkimi Evropian, një shans i ri”, Kirby ka thënë se SHBA shpreson që Beogradi të bëjë gjithçka që është e mundur për të zbatuar marrëveshjen e Brukselit për normalizimin e raporteve me Kosovën.

“Përmes zbatimit, ju me siguri do të siguroni partnerë evropianë që do të votojnë për dhënien e datës së nisjes së negociatave”, ka thënë Kirby.

Ai ka theksuar se nga integrimi i Serbisë në BE nuk do të përfitojë vetëm Serbia, por i tërë rajoni, duke qenë se edhe vendet e tjera kanë aspirata evropiane.

“Ashtu sikurse ajo që është e mirë për Kosovën, është e mirë edhe për Serbinë dhe rajonin”, ka vlerësuar më tej diplomati i dërguar nga Uashingtoni.

Dy kryeministrat Thaçi dhe Daçiç kanë shprehur gatishmërinë e tyre për zbatimin e marrëveshjes, por pritet që takimet mes grupeve përkatëse të punës në Bruksel të përcaktojnë detajet, disa prej të cilave parashikojnë edhe ndryshime kushtetuese. 

 

Top Channel