Në mënyrë sfidante, partia neonaziste “Agimi i Artë” ka dorëzuar në mesditën e së martës projektligjin e saj për përballimin e racizmit ndaj grekëve dhe të ruajtjes së memories kombëtare.

Duke shfrytëzuar faktin se partitë e koalicionit qeveritar nuk kanë mundur të sjellin për aprovim në parlament një projektligj të përbashkët për dhunën raciste dhe krimet e urrejtjes, kryetari i saj, Nikos Mikaloliakos, ka dorëzuar vetë projektligjin e hartuar prej juristëve të kësaj force politike që ka në qendër kryesisht emigrantët e huaj.

Projektligji i neonazistëve përcakton kuadrin ligjor të krimeve të emigrantëve të paligjshëm, ndërsa parashikon edhe burgim të paktën për dy vjet për të gjithë ata që kundërshtojnë krimet e gjenocidit ndaj grekëve si dhe gjobë deri në 20000 euro. Kështu, një emigrant i paligjshëm, sipas “Agimit të Artë” do të dënohet me tre muaj burg nëse ka hyrë në mënyrë ilegale në Greqi, pavarësisht nëse më vonë ka siguruar leje qëndrimi.

Nëse kryen një shkelje tjetër ligjore do të dënohet vetëm për pjesëmarrje me dhjetë vjet burg. Në deklaratën e saj kjo parti thekson midis të tjerash se i vetmi racizëm që ekziston në këtë moment në vend është ai kundër grekëve dhe se partitë e sistemit kanë ditë që po luftojnë për të dorëzuar një ligj antiracist, i cili i bën grekët të jenë pakica në vendin e tyre. Projektligji i “Agimit të Artë” parashikon edhe dënime për ata persona që shajnë historinë greke.

Ditët e fundit, një deputete e së Majtës Demokratike ka mohuar në parlament vërtetësinë e disa momenteve të rëndësishme historike të Greqisë, midis të tjerash edhe vallen e suliotëve që hidhen nga shkëmbi bashkë me fëmijët e tyre për të mos rënë në dorën e turqve. Pavarësisht se projektligji i neonazistëve nuk ka asnjë shans të miratohet në parlament, veprimi i tyre tepër provokues ka ngjallur reagime të mëdha në Greqi.

Top Channel