Eurozonës i bashkohet Letonia

05/06/2013 16:00

Letonia do të shndërrohet në vendin e 18 që do të përdorë monedhën e përbashkët euro, pasi kërkesa e saj për anëtarësim u aprovua të mërkurën nga Komisioni Europian.

Në raportin përkatës, Komisioni nënvizoi se shteti baltik i ka plotësuar të gjithë kriteret e kërkuara për të adoptuar monedhën e përbashkët.

Për Brukselin, anëtarësimi i Letonisë përbën një “spot të shkëlqyer publicitar”, për të treguar se euro vazhdon të gëzojë besimin e vendeve europiane, pavarësisht se prej tre vitesh, disa prej vendeve të Eurozonës janë të goditur nga kriza e borxheve shtetërore dhe recesioni.

Sipas ekspertëve, kërkesa e Rigës zyrtare për t’u anëtarësuar në Eurozonë, më shumë se sa me përfitimet e menjëhershme, lidhet me dëshirën politike për të ngushtuar lidhje me Europën, duke u shkëputur nga ndikimi tradicional rus.

Ish-Republika Sovjetike e Letonisë, tashmë do të nisë të përdorë monedhën euro, pas disa muajsh përgatitje, në janar 2014.

Vlerësimi i kandidaturës letoneze nga Bashkimi Europian u përqëndrua në disa elemente thelbësorë ekonomikë, si inflacioni, borxhi publik dhe norma bazë e interesit e Bankës Qëndrore Letoneze.

Analazimi i të gjithë këtyre kritereve tregoi se reformat e ndërmarra nga autoritetet kishin qenë të suksesshme dhe se të gjithë parametrat ishin brenda normës.

Top Channel