Ish-ministri i Brendshëm bullgar, Tsvetan Tsvetanov ka hequr dorë nga imuniteti parlamentar për t’u marrë në pyetje në lidhje me hetimet mbi një skandal përgjimesh abuzive që shpërtheu dy muaj më parë.

Tsvetanov, krahu i djathtë i ish-kryeministrit Boyko Borissov, është i përfshirë në skandalin e përgjimeve ilegale ndaj politikanëve, biznesmenëve dhe gazetarëve në periudhën pas 2009-ës, në kohën e qeverisë Borissov.

Tsvetanov është rizgjedhur deputet në zgjedhjet parlamentare të muajit të kaluar, ku partia e qendrës së djathtë GERB, e udhëhequr nga Borissov, mori 31% të votave, ndërsa partia socialiste BSP, e Sergei Stanishev, rreth 27%.

Vëzhguesit ndërkombëtarë thanë se proçesi shkoi mirë, por nënvizuan se skandalet dhe akuzat për manipulim kanë gërryer besimin qytetar në institucionet shtetërore.

Vendi është ende pa qeveria dhe analistët thonë se formimi i saj është i vështirë për secilën nga forcat. Nëse partia GERB nuk do të jetë në gjendje, kjo mundësi do t’u jepet socialistëve. Bllokimi i proçesit mund të çojë në zgjedhje të tjera.

Pjesëmarrja e votuesve ishte 50%. Bullgaria po përballet me krizën më të rëndë ekonomike dhe sociale, ku shifra e papunësisë ka arritur në 12%.

Po muajin e kaluar, presidenti i vendit, Rosen Plevneliev, u ofrua për të ndërmjetësuar formimin e ekzekutivit, duke u bërë thirrje palëve rivale për përgjegjshmëri me qëllim stabilitetin politik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA