Dy ditë pas takimit në Arcore, që ka konfirmuar Allegri-n në krye të pankinës së Milanit, Silvio Berlusconi kthehet të flasë për raportin e tij me trajnerin.
“Ka qenë gjithmonë shumë i sjellshëm – shpjegon presidenti. – Megjithatë kishim vizione të ndryshme, të tipit vendime për t’u marrë ndaj disa lojtarëve. Milani është klubi me më shumë tituj në botë dhe presidenti, së bashku me administratorin e deleguar, pretendojnë që shoqëria dhe drejtimi i rrugëtimit tonë të respektohen”.
Fjalët e Berlusconi-t shpjegojnë akoma më mirë një pjesë të komunikatës së dhënë menjëherë pas përfundimit të takimit të së dielës.
“Patëm një sqarim në lidhje me disa gjëra, – kishte thënë presidenti kuqezi, pasi konfirmoi trajnerin. – U arrit një akord në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e shoqërisë kundrejt trajnerit dhe e kundërta. Ndër të tjera u fol edhe për tipin e lojës, që Milani duhet të praktikojë dhe mbi lojtarët që do të na përfaqësojnë sezonin e ardhshëm”.
Këtë herë, Berlusconi fokusohet veçanërisht mbi detyrimet e trajnerit, duke theksuar disa vizione të ndryshme mes tyre, gjatë sezonit të fundit. Sa i përket kontakteve të prezumuara mes trajnerit dhe Romës, padroni kuqezi ka preferuar t’i shmanget kësaj çështjeje.
“Allegri ka patur kontakte me drejtuesit e Romës? Kjo është një pyetje, që duhet t’ia drejtoni atij dhe drejtuesve të Romës. Ne kemi respektuar kontratën që kishim me të”.
Top Channel