Turqi, grevë 2-ditore e sektorit publik

04/06/2013 04:00

Punonjësit e sektorit publik në Turqi pritet të nisin një grevë dy ditore, në mbështetje të protestave anti-qeveritare, të cilat vazhdojnë në një numër më të madh qytetesh tashmë.

Konfederata e Unionit Tregtar “Kesk”, e krahut të majtë, e cila përfaqëson rreth 240 mijë punëtorë, akuzoi qeverinë se po kryen një “gabim shtetëror”. Protestat dhe përleshjet me policinë vazhduan edhe gjatë natës së ditës së hënë.

Tashmë është konfirmuar edhe i vdekuri i dytë në protesta, sipas njoftimeve të zyrës qeveritare në qytetin jugor të Antakya-s. Abdullah Comert, 22 vjeç, një anëtar i grupimit të të rinjve të partisë opozitare “Partia Popullore Republikane”, thuhet të ketë vdekur, si pasojë e plagëve të marra gjatë demonstratave në qytet.

Më herët, Unioni turk i Mjekëve njoftoi se një 20-vjeçar, Mehmet Ayvalitas, ishte goditur nga një makinë gjatë së dielës, e cila kishte shpërfillur urdhrin për të ndaluar dhe kishte shkuar përmes turmës së protestuesve, në distriktin Mayis të Stambollit.

Kryeministri Recep Tayyip Erdogan ishte në një udhëtim në Marok, nga ku këmbënguli se situata po përmirësohej. Greva e së martës dhe së mërkurës pritet të prekë shkollat dhe universitetet, veç zyrave shqetërore.

Në deklaratën e Kesk thuhej: “Terrori shtetëror i implementuar ndaj protestuesve paqësorë po vazhdon në një mënyrë të tillë, që po kërcënon edhe sigurinë e jetës së civilëve”.

Konfederata, e cila përfshin 11 unione, akuzon qeverinë se po minon demokracinë. Ndërsa Erdogan qëndron i palëkundur në bindjen e tij, teksa të hënën refuzoi sërish sugjerimet, që flisnin për një “pranverë turke”.

Top Channel