SHBA, sanksione të reja ndaj monedhës iraniane

04/06/2013 04:30

SHBA-të kanë zbuluar sanksionet e reja të ndërmarra ndaj Iranit, duke vënë në shënjestër monedhën kombëtare, duke rritur presionet ndaj Teheranit për të braktisur programin e tij bërthamor.

Sanksionet përfshijnë dënime ndaj kujtdo, që lehtëson transaksione “të rëndësishme” në “rial” (monedha iraniane), apo që mban shuma të konsiderueshme të kësaj monedhe jashtë Iranit.

Një zyrtar amerikan tha se lëvizja e fundit mund të detyrojë institucionet të zbrazin depozitat në “rial”, duke e dobësuar edhe më tej këtë monedhë. Kjo është hera e parë, që SHBA-të kanë shënjestruar monedhën iraniane.

“Ky veprim premton të dobësojë monedhën iraniane, edhe më shumë nga sa është dobësuar, apo për ta bërë më të paqëndrueshme”, është cituar të ketë thënë zyrtari. “Idea është që ta bëjmë “rial”-in në thelb të papërdorshëm jashtë Iranit”.

Monedha iraniane ka rënë ndjeshëm ndaj dollarit amerikan gjatë dy viteve të fundit, e dëmtuar nga një sërë sanksionesh të ndërmarra kundër sektorëve kyç të Teheranit.

Ky është seti i 9-të i sanksioneve, që administrata e presidentit Barack Obama ka vendosur ndaj Iranit. Të fundit kanë përfshirë edhe sektorin e automobilave në Iran, një nga më të rëndësishmit në punësimin e iranianëve dhe një nga kontribuesit më të mëdhenj të ekonomisë iraniane.

Top Channel