
Kryeministri i Rumanisë, Victor Ponta ka deklaruar se është në favor të njohjes më të shpejtë të pavarësisë së Kosovës.
Sipas raportimeve të mediave serbe, Ponta dhe ministri i Jashtëm i kabinetit të tij janë takuar me dy komisione parlamentare për të diskutuar nëse vendi duhet të lëvizë drejt njohjes së Kosovës.
Kreu i qeverisë ka informuar se, personalisht mendon se Rumania duhet të pajtojë qëndrimin e saj me atë të partnerëve evropianë lidhur me Kosovën, duke qenë se 22 vende anëtare të BE-së e kanë pranuar pavarësinë e saj.
Ai ka thënë gjithashtu se do të formohet një grup pune, i përbërë nga përfaqësues të diplomacisë rumune dhe deputetë, për të shqyrtuar zhvillimet e reja që lidhen me statusin e Kosovës.
“Nuk bëhet fjalë për asnjë vendim. Jemi pajtuar të formojmë një grup pune që do të merret me këtë çështje. Kemi rënë dakord se kjo temë nuk është tabu dhe se duhet të merremi me të”, ka thënë Ponta.
I pyetur nga mediat nëse Rumania pret që Serbia të njohë më parë Kosovën, zoti Ponta është përgjigjur duke thënë se: “Do të ishte qesharake që Rumania të mbetej mbrapa Serbisë”.
Rumania, bashkë me Greqinë, Spanjën, Sllovakinë dhe Qipron përbëjnë pesë vendet anëtare të BE që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Megjithatë, muajin e kaluar Bukureshti zyrtar vendosi të njohë pasaportat kosovare, një sinjal pozitiv që jep gjithashtu shpresa për një ndryshim të qëndrimit rumun.
Top Channel