Projekti “Shkupi 2014”

04/06/2013 01:10

Përveç ndarjeve të thella, që ka shkaktuar në shoqëri, projekti kontrovers “Shkupi 2014” po kultivon edhe klimë agresive te të rinjtë e kryeqytetit të Maqedonisë.

Analistët vlerësojnë se, në krijimin e kësaj atmosfere po ndikojnë monumentet e shumta të figurave historike, që shihen me armë në duar dhe tregojnë ngjarje të dhunshme nga e kaluara.

“Shkupi 2014 është nje projekt, që përmban ndarje të theksueshme, si planin etnik, fetar dhe atë politik. Por, përveç kësaj, aty shohim edhe promovimin e një fryme agresive, shohim dhunë dhe armë. Në sheshin e Shkupit, të rinjtë shohin në çdo anë figura historike me armë. Kjo është skandaloze dhe do t’i kushtojë shumë Maqedonisë, jo vetëm në parà”, tha Xhabir Deralla.

Projekti qeveritar “Shkupi 2014” e ka shndërruar sheshin e kryeqytetit në një muze historik. Sipas analistëve, përqëndrimi i gjithë këtyre figurave historike dhe kthimi prapa në histori është në kundërshtim me përcaktimet deklarative të qeverisë, për fqinjësi të mirë dhe bashkëjetesë mes të gjitha entiteteve në vend.

“Problematik është fakti, që qeveria na kthen mbrapa me këtë projekt, në vend që të na çojë përpara. Sot, shtetet maten në bazë të kulturës që kanë dhe në bazë të burimeve të orientuara për të ardhmen. Qeveria jonë, duhe t’i hapë rinisë rrugën e ardhmërisë, sepse duke parë mbrapa nuk do të arrijmë askund”, tha Petar Atanasov, analist.

Sipas një studimi të Institutit për Shkenca Shoqërore, qytetarët nuk e ndiejnë projektin “Shkupi 2014” si pjesë të identitetit të tyre historik dhe kulturor. Sipas këtij studimi, përmendoret e shumta të ngritura në kuadër të këtij projekti, që kanë stërngarkuar sheshin e Shkupit, nuk kanë ndryshuar aspak perceptimin e maqedonasve mbi identitetin e tyre.

Top Channel