Jordani, SHBA dislokon “Patriot”-ët për Sirinë

04/06/2013 05:05

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se do të dërgojnë bateritë e raketave “Patriot” dhe avionët luftarakë F-16 në Jordani për manovra ushtarake, por mund t’i mbajë ato atje edhe për t’i bërë ballë kërcënimit nga konflikti në Siri.

Një zyrtar amerikan tha se pajisjet luftarake mund të mbahen atje në rast të “përkeqësimit të dhunës përreth kufirit me Jordaninë”.

Sekretari i Shtetit, John Kerry, tha se Siria është në rrezik të një “kolapsi total”. Ndërkohë, Kombet e Bashkuara priten të publikojnë raportin e fundit në lidhje me dhunimin e të drejtave të njeriut në Siri.

Raporti, i pesti i këtij lloji, pritet të përmbajë më shumë fakte për mizoritë e kryera, në kufinjtë e krimeve të luftës, por edhe krime të tjera ndaj njerëzimit.

Ai vjen në vazhdën e përpjekjeve diplomatike, të udhëhequra nga SHBA dhe Rusia, për të organizuar bisedime paqeje në fund të këtij muaji. Deri tani, diplomatët nuk kanë mundur të përcaktojnë një datë për takimin.

Top Channel