
Ministri i Jashtëm kosovar, Enver Hoxhaj e ka cilësuar tentativën e
Serbisë për të bllokuar pjesëmarrjen e Kosovës në samitin e anuluar të
Ohrit si shkelje të marrëveshjes së 19 prillit.
“Kjo tregon se Serbia duhet të ndërgjegjësohet se nuk mund të ketë bashkëpunim rajonal pa Kosovën”, ka thënë Hoxhaj në një bashkëbisedim me gazetën austriake “Tiroler Tageszeitung”.
Duke komentuar situatën në veri të Kosovës dhe zërave për radikalizim të saj, Hoxhaj ka nënvizuar se janë rreth 300 individë, eksponentë të krimit të organizuar, që duan të shkaktojnë tensione.
Shefi i diplomacisë kosovare po ashtu ka theksuar se Serbia duhet të heq dorë nga strukturat e saj ilegale paralele në veri të Kosovës dhe të përmbushë marrëveshjen e arritur në Bruksel.
“Pa implementimin e marrëveshjes, Serbia nuk duhet të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësimin në Bashkimi Evropian”, ka thënë Hoxhaj.
Hoxhaj ka thënë më tej se në muajt e fundit është krijuar një klimë mirëbesimi ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, duke shtuar se është në interes të Serbisë që të mos përpiqet të bllokojë proçeset e mëtejshme dhe axhendën evropiane të rajonit.
Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov anuloi javën e kaluar samitin e presidentëve për Proçesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, që ishte caktuar të mbahej më 1 dhe 2 qershor në Ohër.
Këtë vendim Ivanov e ndërmori pasi shumica e presidentëve të futar në këtë samit refuzuar pjesmarrjen, edhe për shkak të mungesës së ftesës për presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga.
Top Channel