F1, Red Bull mbron Ferrarin

04/06/2013 15:25

Në prag të Cmimit të Madh të Kanadasë Red Bull ka dalë në mbrojtje të Ferrarit në lidhje me polemikën e gomave Pirelli. Christian Horner, shefi i skuderisë austriake, ka thënë se testet që ka bërë Ferrari me Pirelli-t e reja nuk janë të ngjashme me testet e Mercedesit.

“Situata e Ferrarit është e ndryshme sepse ata nuk kanë përdorur makinën e këtij sezoni dhe ka xhiruar piloti i testimeve (Pedro de la Rosa). Nuk mund të krahasohen testet e Ferrarit me ato të Mercedesit”, theksoi Horner për ‘Autosprint’.

Mercedes dhe Ferrari janë thirrur për të dhënë sqarime para Komitetit Disiplinor të Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA)  në lidhje me testet private që kanë bërë me gomat Pirelli.

Testimet janë kryer në datat 15, 16 dhe 17 maj në pistën spanjolle të Montmelosë, menjëherë pas Cmimit të Madh të Spanjës. Skuderia italiane ka bërë të ditur se në testime është përdorur makina e vitit 2011 (F150 Italia), ndërsa skuderia gjermane duket se është futur në telashe pasi ka përdour makinat e sezonit aktual dhe me këto makina kanë xhiruar pilotët titullarë: Lewis Hamilton dhe Nico Rosberg.

“Shpresoj që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt. Mercedes është munduar të fshehë faktin se ka marrë pjesë në këto testime dhe kjo gjë duhet sqaruar”, shtoi Horner.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA