Stefano Domenicali, drejtori sportiv i Ferrarit, deklaroi se gara e dobët e skuderisë së tij në Montekarlo ishte thjesht një incident që nuk do të përsëritet më dhe nuk do të ulë motivimin e “Kokëkuqes”.
Në kuadër të garës së shtatë të botërorit të Formulës 1, në Montreal të Kanadasë, Domenicali nënvizoi se Ferrari do të mund të shfrytëzojë pikën e tij të fortë, frenimin: “Cmimi i Madh i Monakosë nuk ishte i lehtë për ne dhe kemi punuar shumë për të kuptuar atë që nuk funksionoi. Jemi shumë të motivuar dhe të përqendruar në Kanada tashmë. Mendoj se ky cirkuit do nxjerrë në pah pikën tonë të fortë që është frenimi, një element i rëndësishëm për të bërë kohë të mira në këtë pistë.”
Domenicali analizoi edhe rezultatet e skuderisë italiane në 6 garat e para të Formulës 1: “Kemi treguar rendiment të mirë dhe jemi përshtatur me pistat e ndryshme. Nuk kemi qenë të shpejtë sa skuderitë e tjera, por mesatarisht jemi mirë.”
Cmimi i Madh i Kanadasë do të zhvillohet të dielën e 9 qershorit dhe do të transmetohet drejtpërdrejtë në Top Channel.
Top Channel