“Ëndrra e një nate vere” në TOB

04/06/2013 00:00

Kryevepra e Shekspirit “Ëndrra e një nate vere” do të vijë prej datës 8
qershor, si një balet me dy akte në skenën e Teatrit të Operas dhe
Baletit.

“Do të vijë në një mënyrë shqiptare. Eshtë një premierë absolute botërore. Kush do të jetë këtu do të kënaqet pa fund. Janë 110 balerinë, 100 veta të tjerë në orkestër dhe kor; kjo është një sipërmarrje e madhe dhe e rrallë”, tha Arian Sukniqi, regjisori dhe koreografi i kësaj vepre.

Premiera sjell në Tiranë edhe dy prej solistëve të suksesshëm të baletit të Athinës, Danilo Zeka dhe Altin Koruti.

“E prisja këtë moment prej 16 vjetësh. Më ka munguar shumë publiku shqiptar dhe duatrokitjet e tij. Këtu është shtëpia ime”, thotë solisti Zeka.

“Kjo është hera e dytë që unë kthehem në TOB. Këtu është një emocion i dyfishtë sepse jemi përpara publikut shqiptar dhe jemi përpara prindërve tanë”, thotë solisti tjetër Altin Koruti.

Një histori dashurie e pështjellimi ndjenjash, kjo pjesë me libret të Uilliam Shekspir, do të ngjisë në skenë një numër të madh balerinësh, ku në rolet kryesore do të jenë Isida Mollaymeri, Ledia Sulaj, Jonida Onuzi, Dion Gjinika etj.

Ndër elementët e veçantë të shfaqjes mund të përmendet performanca e korit të Teatrit të Operas dhe Baletit. Ndërsa drejtimi i orkestrës i është besuar dirigjentit italian, Vittorio Parisi.

Top Channel