Siri, OKB: Të dyja palët përgjegjëse për krime lufte

03/06/2013 16:05

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, paralajmëroi se të dyja palët ndërluftuese në Siri do të mbahen përgjegjëse për krimet e luftës që po ndodhin në vend.

Deklarata e Ki-moon u bë në kuadrin e një apeli, adresuar presidentit Bashar al-Assad dhe kryengritësve, për të lejuar civilët që të evakuohen nga qyteti jugor i Qusairit, ku prej dy javësh po zhvillohet një betejë e ashpër dhe e përgjakshme për kontrollin e tij.

Gjatë betejës për Qusairin, anëtarët e ushtrisë së rregullt, të mbështetur nga trupat e Hezbollahut, janë akuzuar për goditjen me artileri të lagjeve të banuara nga civilë, pa u interesuar për fatin e të pafajshmëve të vendosur në zonat e luftimit.

Ndërkohë, të dyja palët akuzohen për krime lufte dhe vrasjen e të burgosurve të luftës.

“Të gjithë sytë e botës janë kthyer nga Qusairi dhe të gjitha palët do të mbahen përgjegjëse, për çdo akt mizor të kryer kundër popullsisë civile”, deklaroi Ki-moon, ndërsa në vlerësimet e Kryqit të Kuq, 1 500 civilë janë plagosur dhe kanë nevojë për asistencë të menjëhershme mjekësore në qytet.

Një pikë e nxehtë luftimesh, ajo e Qusairit, ka kontribuar për të përshkallëzuar bilancin tragjik të 27 muajve luftë civile, e cila i ka kushtuar jetën të paktën 80 mijë sirianëve, sipas raportimeve më të përmbajtura të OKB-së.

Top Channel