Patriarku i Kishës Ortodokse Ruse, Kiril po vazhdon vizitën e tij në Greqi, që nisi ditën e shtunë, bëjnë të ditur agjencitë ruse të lajmeve.
Ai do të pritet në një takim nga presidenti i shtetit helen, Karolos Papoulias dhe më vonë nga kryeministri Andonis Samaras.
Bëhet fjalë për vizitën e parë të një lideri të kishës ruse në Greqi prej 21 vjetësh dhe shumë vëzhgues e konsiderojnë atë me rëndësi fetare dhe politike.
Më herët gjatë muajit patriarku rus shprehu mbështetjen për Serbinë, duke deklaruar se kisha ruse dhe populli sllav kurrë nuk do t’ia kthejë shpinën serbëve të Kosovës, “e cila kurrë nuk duhet humbur”.
“Duhet t’iu përmbaheni të gjitha presioneve dhe momenteve të rënda, sepse Kosova, ky vend i shenjtë, dhe populli që jeton atje, nuk duhet të humbasin”, tha Kiril për gazetën serbe “Veçernje Novosti”.
Kiril theksoi se asnjë lloj ndryshimi politik e as arsye tjera nuk do t’i shtyjnë rusët që të harrojnë lidhjen shumëshekullore shpirtërore me serbët.
Kisha Ortodokse, si ajo serbe, greke e ruse, luajnë një rol të rëndësishëm në politikat e tre vendeve, sidomos në çështjet e tipit gjeopolitik.
Top Channel