Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç ka deklaruar se Serbia është e vendosur që ta zgjidhë problemin e Kosovës deri në fund.

Gjithashtu, ka thënë ai, shteti serb mbetet i angazhuar të mbrojë të drejtat e popullit serb atje, raportojnë mediat serbe.

“Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës, por për të gjitha çështjet e hapura është e gatshme që të merret vesh me institucionet e përkohshme në Prishtinë”, ka deklaruar Nikoliç.

Javën e kaluar, në një intervistë të transmetuar të premten në kanalin anglishtfolës “Russia Today”, Nikoliç shprehu bindjen se Serbia nuk do ta humbë kurrë Kosovën.

”Serbia nuk e ka humbur dhe nuk do ta humbë kurrë Kosovën. Ne, në asnjë rrethanë nuk do të njohim pavarësinë e tyre”, deklaroi Nikoliç.

Megjithatë, duke iu dorëzuar realitetit politik, ai shtoi: “Megjithatë, nuk jam unë president i Prishtinës. Kjo është ajo që më dhemb më shumë, por edhe më shumë fakti se kjo do të jetë e vështirë që të ndryshohet”.

Përsa i përket marrëveshjes së arritur në Bruksel me Kosovën, Nikoliç përshëndeti punimet, ndërsa theksoi se nëpërmjet marrëveshjes së nënshkruar, “Beogradi nuk shtrin ndikimin e tij vetëm në zonat veriore të banuara me serbë, por edhe përtej, në katër rajone të banuara nga serbët në jug”.

I pyetur për ndikimin rus në çështjet e Ballkanit, Nikoliç tha: “Rusia është një aleat i ngushtë dhe presidenti Putin është shprehur se do të mbështesë gjithçka që ne do të vendosim. Megjithatë, ai kurrë nuk ka bërë një presion për të vendosur në një mënyrë apo në një tjetër”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA