Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ende nuk ndodhet në axhendën e Kuvendit të Kosovës për miratim.
Ai do të kalojë në komisionet parlamentare përkatëse, ndërsa çështja e amnistisë pritet të hapë debat të gjërë për kategoritë e veprave penale për të cilat do të pranohet që të mos ndiqen nga ligji.
“Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë i ka shkuar kryesisë. Ky projektligj duhet të kalojë proçedurat e nevojshme derisa të sillet në seancë për votim. Seanca do të thotë fjalën e vet”, ka deklaruar Krasniqi.
Komisioni për legjislacion i Kuvendit të Kosovës është i ngarkuar nga kryetari i Kuvendit për shqyrtimin e projektligjit për marrëveshjen Kosovë-Serbi.
Kryetari i këtij komisioni, Arben Gashi ftoi ministrin e Drejtësisë Hajredin Kuçi që fillimisht të raportojë për ligjin e aministisë, si dhe për ligjet e tjera që do të ndryshohen në kuadër të planit të zbatimit.
“Do ta paralajmërojmë, të paktën nga grupi parlamentar i LDK-së, se një ligj për aminstinë nuk mund të ketë lidhje të caktuara territoriale dhe nuk mund të jetë për individë të caktuar, por duhet të jetë për kategori të veprave penale të caktuara. Ashtu parasheh edhe amendamenti kushtetues”, ka thënë Gashi.
Qeveria e Kosovës miratoi javën që shkoi projektligjin për marrëveshjen e parë ndërkombëtare. Projektligji parasheh planin e zbatimit në fusha si policia, gjyqësori, krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe përshtatjen e kornizave ligjore duke përfshirë edhe ligjin për aministi.
Top Channel