Ish-ndërmjetësi i OKB-së për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari ka deklaruar se Serbia po e kupton se, nëse dëshiron të anëtarësohet në BE duhet të njohë Kosovën.

Në një intervistë për gazetën austriake “Die Presse”, Ahtisari ka nënvizuar se plani që ai dhe ekipi i tij hartoi për Kosovën ofron garancitë më të mirë për pakicat atje, në veçanti atë serbe.

“Serbët tani e kanë kuptuar se nëse dëshirojnë anëtarësimin në BE duhet të pranojnë ekzistencën e Kosovës së Pavarur”, ka deklaruar Ahtisari.

Më tej ish-presidenti finlandez ka vlerësuar marrëveshjen e arritur më 19 prill mes kryeministrave Daçiç dhe Thaçi, duke sugjeruar zbatimin e saj pa vonesa.

“Ajo që përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton, arriti në dialogun Prishtinë-Beograd është shumë e rëndësishme. Kjo u dërgon palëve një mesazh të qartë se atë që kanë arritur duhet ta implementojnë sa më parë”, ka shtuar Ahtisari.

Top Channel