Iran, incident ajror për presidentin

02/06/2013 19:20

Presidenti iranian, Mahmud Ahmedinexhad, dhe grupi i zyrtarëve qeveritarë, që e shoqëronin, përjetuan momente ankthi, kur helikopteri që i transportonte pati probleme në ajër dhe pilotit nuk i mbeti zgjidhje tjetër, veçse të bënte ulje të detyruar në një zonë malore në veri të vendit.

Nga incidenti nuk pati të lënduar. Falë zotësisë së pilotit, helikopteri u ul në rajonin Alborz me vështirësi, por pa dëmtime.

Ahmedinexhad po i afrohet fundit të mandatit të dytë si president i Iranit, mandat të cilin nuk mund ta ripërtërijë më. Ai ishte nisur të inauguronte tre projekte rrugore, që përfshijnë edhe tunelin më të madh të republikës islamike, atë në provincën Mazandaran.

Kreu i shtetit dhe delegacioni që e shoqëronte janë në gjendje të mirë shëndetësore, bëri të ditur agjencia e lajmeve Mehr, ndërsa mjeti i përplasur nuk është levizur nga vendi dhe do të riparohet pikërisht aty.

Nuk dihet me saktësi cili ishte shkaku i këtij incidenti, pas të cilit Ahmedinexhadi u kthye në Teheran me makinë.

8 janë kandidatët e aprovuar për të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale të qershorit në Iran. Mandati i Ahmedinexhadit përfundon në muajin gusht. Kushtetuta e vendit nuk e lejon atë të garojë për një mandat të tretë në krye të shtetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA