Berisha-Arvizu-SHBA, një marrëdhënie trepolare

02/06/2013 00:00

Skënder Minxhozi – Dje kanë zbritur në Aeroportin e Rinasit 30 muxhahedinë të tjerë, nga grupi prej 210 anëtarësh të organizatës Mojahedin-e-Khalq, kundërshtarë të regjimit të Ahmadinexhadit që strehohen në Irak, të cilët janë pranuar nga qeveria shqiptare pas një kërkese të administratës amerikane.

Vetëm pak orë para mbërritjes së tyre, përmes të njëjtit aeroport, në Shqipëri tranzitoi zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, Jonathan Moore, i cili erdhi në vendin tonë për të influencuar në zgjidhjen e krizës delikate të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në pamje të parë, këto duken thjesht si dy fragmente të marra nga libri i udhëtarëve të aeroportit “Nënë Tereza”. Aq më tepër, nëse vendosen në uturimën e fushatës elektorale, gjatë së cilës është më e lehtë të bërtitet, sesa të logjikohet. E megjithatë ka pak gjasa të jetë kështu.

Po përjetojmë një moment tejet interesant në marrëdhëniet mes vendit tonë dhe SHBA-së. Është ai moment kur, siç ka ndodhur edhe në të shkuarën e afërt dhe të largët, polarizimi i qëndrimeve të Berishës ndaj përfaqësuesve diplomatikë amerikanë në Tiranë, ka prodhuar mëdyshje, rrëmujë dhe dilemë edhe në Uashington. Sjellja e ashpër, deri edhe vulgare e dikur presidentit, sot Kryeministër, ndaj ambasadorëve amerikanë, ka krijuar kolaps në punën e tyre këtu, por ka prodhuar valë sizmike edhe në zyrat e pakta që merren me Shqipërinë në kryeqytetin amerikan. Ka ndodhur kështu me Mariza Linon, Joseph Limprecht-in e natyrisht edhe me John Withers së fundi.

Porse me Aleksandër Arvizun, një diplomat që erdhi në Tiranë me një predispozitë tejet pozitive ndaj qeverisë aktuale në vjeshtën e vitit 2010, ka ndodhur një fenomen më specifik sesa me paraardhësit e tij. Sepse për arsye krejt të veçanta, Arvizu është gjendur të menaxhojë një marrëdhënie “trepalëshe”, krejt të paprecedentë në 22 vjetët fundit të marrëdhënieve Shqipëri-SHBA. Sado që Jonathan Moore u përbetua para pak ditësh, se ambasadori Arvizu është përfaqësuesi zyrtar i SHBA-së në vendin tonë, ai nuk mundi ta zbusë sadopak përshtypjen tashmë të formësuar në opinionin publik në Tiranë dhe jashtë saj, se tashmë marrëdhëniet tona me SHBA-në janë “trepolare”. Një deformim që mund ta prodhojë vetëm një situatë specifike si kjo e jona.

Nuk është e sforcuar të thuhet se sot, rreth një zhvillimi të caktuar në Shqipëri, ka një qëndrim të ambasadës amerikane, një qëndrim të administratës amerikane, si dhe një kundërpërgjigje të qeverisë shqiptare dhe firmave të saj lobuese. E pakëndshme, por e vërtetë. Aleksandër Arvizu ka pësuar, për fat të keq, të njëjtin proces transformues si shumica e paraardhësve të tij, në raport me Berishën dhe qeverisjen e tij, ndërkohë që ky i fundit, pas betejave të gjata e sfilitëse me diplomatët e SHBA-së në Tiranë, ka gjetur prej disa vitesh rrugën më komode: të kompensojë me para publike, kritikat e shpeshtuara të qeverisë amerikane dhe të ambasadës së saj në Tiranë. Kësisoj, është krijuar një trekëndësh, brenda të cilit vërtiten interesa jo gjithmonë parimore.

I ulur në rreshtin e parë të ngjarjeve, Aleksandër Arvizu e përjeton tashmë si një dramë demokracinë defektoze shqiptare. Për shkak të faktit se ndodhet në Tiranë, ai ka mundësinë të gjykojë për situatat jo përmes raporteve (të cilat i shkruan po vetë), e as përmes mesazheve hileqare të kompanive lobuese, por përmes atij procesi që e ka shtyrë të jetë më në fund i qartë dhe acid, ndaj atyre që dikur i quante jo pa romantizëm dhe mungesë njohjeje “burra shteti”. Ambasadori Arvizu sot ndodhet në timonin e një beteje të drejtë, por të vetmuar. Përkundër këtij pozicioni, administrata amerikane nuk e ka këtë (dis)avantazh të ambasadorit të saj. Për pasojë, ajo mund të gjykojë e imunizuar nga dialektika konkrete e ngjarjeve, duke formuluar shpesh qëndrime që nuk pasqyrojnë realitetin dhe që nuk marrin parasysh parimet dhe të drejtën.

Nuk është aspak e re teza se Shqipëria ka vetëm një peshë të vogël, relative dhe të përfshirë në kontekstin rajonal, në politikën e jashtme amerikane. Por tani që problemi i dikurshëm kosovar, po i lë vendin shtetit të pavarur kosovar, në marrëdhënie normale me Serbinë dhe fqinjët e tjerë, roli ynë si faktor shqiptar mpaket edhe më tej në sytë e aleatëve tanë të mëdhenj. Në këto kushte, improvizime si ai i ujgurëve dikur, ose muxhahedinëve sot, apo edhe karta e pjesëmarrjes në misionet paqeruajtëse, janë mënyrat e fundit që qeveria shqiptare ka në dorë, për të tërhequr sadopak mbi vete vëmendjen amerikane. Ardhja e opozitarëve të Ahmadinexhadit në Shqipëri, duke vënë në risk serioz marrëdhëniet me këtë vend, i cili nuk ka ndonjë problem direkt me ne si vend, është në fakt një lëvizje në kohën dhe vendin e duhur për të kënaqur amerikanët. Nëse kësaj i shtojmë më pas edhe influencën e firmave lobuese dhe servilizmin endemik të qeverisë shqiptare, korrigjimi i kursit zyrtar amerikan ndaj incidenteve të përsëritura në teatrin e demokracisë shqiptare, nuk është më një teori konspirative.

Për hijen gri të Podesta-s në politikën shqiptare është folur e shkruar shumë në muajt e fundit. Transfertat e parave për këtë firmë lobuese janë botuar rregullisht nga gazetat e Tiranës dhe po aq rregullisht është ndier influenca e fshehur ose e hapur e saj, në qëndrimet zyrtare të Uashingtonit për ngjarjet në vendin tonë. Jonathan Moore e pranoi se Departamenti i Shtetit ka kontakte “të herëpashershme” me kompanitë lobuese. Përtej kësaj deklarate, vetë vizita e tij u duk në fakt si një konfirmim i kriptuar i rolit dhe peshës që ka sot lobimi i paguar i qeverisë, në zbutjen dhe rrumbullakosjen e qëndrimeve zyrtare në Uashington, për zullumet e përsëritura shqiptare. Ai shpërfilli hapur problematikën për të cilën mori një udhëtim prej 9 mijë kilometrash. Aq sa në fund hodhi edhe frazën disi qesharake, se “kriza mund të zgjidhet, por ndoshta edhe s’mund të zgjidhet”. Një paradigmë që e përmbledh më së miri kaosin që ekziston sot brenda trekëndëshit Berisha-Arvizu-SHBA.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA