Revoltë antiqeveritare në Stamboll

01/06/2013 00:20

Policia turke përdori gazin lotsjellës dhe pompat e ujit për të shpërndarë protestuesit, që kundërshtojnë planet për rizhvillimin e parkut Gezi, pranë sheshit Taksim, në qendër të Stambollit.

Disa persona u plagosën, pas rrëzimit të një muri, ndërsa përpiqeshin t’i shpëtonin ndjekjes së policisë. Prej katër ditësh, protestuesit bllokuan parkun Gezi, me qëllimin për të mos lejuar ndërtimin e një qendre tregtare, që do të shkatërrojë të vetmen hapësirë të gjelbër të qytetit.

Një gjykatë, më pas, urdhëroi pezullimin e projektit për shkuljen e pemëve të parkut. Çfare nisi si një protestë mjedisore, u shndërrua në një lëvizje antiqeveritare.

Duket se revolta drejtohej kundër kryeministrit Rexhep Taip Erdoan, i cili qëndron në pushtet prej vitit 2002, dhe shumë turq e akuzojnë qeverinë e tij si autoritare. Protesta u shënuan edhe në kryeqytetin e Turqisë, Ankara, në Bodrum, Konia dhe Izmir.

Sipas të përditshmes turke “Hurriet”, të paktën shtatë persona u plagosën në përleshje me policinë, në Stamboll. Mes tyre është edhe Siri Sureja Onder, deputet i partisë kurde BDP dhe një prej simboleve të protestës kundër shkatërrimit të parkut.

Të plagosur mbetën një gazetar dhe një fotoreporter të “Hurriet”. “Amnesty International” dënoi taktikat e përdoruara nga policia kundër “protestuesve paqesorë”.

Drejtori i organizatës për Europën dhe Azinë qendrore tha se “autoritetet turke duhet të ndalojnë përdorimin e forcës dhe të hetojnë menjëherë raportimet për abuzime. Ata kanë detyrën t’i garantojnë njerëzve të drejtën e grumbullimit”.

Top Channel