Kosova ka formuar grupet e punës, të cilat do të merren me zbatimin e planit për marrëveshjen e 19 prillit, në Bruksel.

Kjo është konfirmuar për “Top-Channel” nga ministrja për Integrime, Vlora Çitaku, gjatë së shtunës.

Plani për Zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian përbëhet nga 6 elemente kryesore, si rregullimi i kornizave ligjore; Asociacioni; Policia; Drejtësia; Zgjedhjet Lokale dhe Dispozitat e Përgjithshme, për të cilat ka afate kohore.

Por, për të zbatuar çdonjërën prej tyre, duhet të themelohen grupe pune, për të cilat po ashtu ka afate kohore.

Vetëm deri në fund të majit ishte planifikuar që të themelohen grupet e punës për pikën e parë: rregullimin e kornizave ligjore, pastaj për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe; për Policinë dhe për Drejtësinë.

“Institucionet e Republikës së Kosovës i kanë formuar grupet e punës, të cilat udhëhiqen nga ekspertë të fushave. Deri më tani, zbatimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel asnjëherë nuk është vonuar nga pala jonë. Përkundrazi, ne gjithmonë kemi shkuar në Bruksel me plane të qarta, jo vetëm për marrëveshjen, por edhe për zbatimin e saj; bartësit e proceseve të zbatimit dhe institucioneve që duhet të jenë të përfshira në të”.

E pyetur nepermjet telefonit, nëse edhe Serbia e ka bërë një gjë të tillë, Ministrja Çitaku ka thënë se javën e kaluar është mbajtur një takim i grupeve punuese në Bruksel për Policinë dhe Drejtësinë dhe aty ka qenë edhe delegacioni nga Serbia.  

“Ne jemi duke ecur me dinamikën e parashikuar. Ky është vetëm fillimi i procesit dhe vera do të jetë shumë intensive”, u shpreh Çitaku.

Plani i zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit parashikon afate kohore sipas të cilave duhet zbatuar marrëveshja. Këto afate nuk shkojnë më larg se fundi i këtij viti.

Deri në fund të vitit parashihet që anëtarët e strukturave serbe të sigurisë në Kosovë do të integrohen plotësisht në strukturat ekuivalente të Kosovës me rroga të paguara ekskluzivisht nga buxheti i Kosovës.

Po ashtu, deri në fund të këtij viti edhe integrimi i autoriteteve gjyqësore do të ketë përfunduar, siç parashihet me planin e zbatimit.

Kurse, çështjet tjera, si Asociacioni, duhet të themelohet pas përfundimit të zgjedhjeve lokale që parashihet të mbahen në fund të muajit tetor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA