Haga: Libia, jo gati për gjykimin e Gaddafi-t

01/06/2013 03:05

Dhoma e procedurës paraprake të Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve, në Hagë, ka refuzuar kërkesën e Libisë për të gjykuar djalin e liderit të fundit libian, Muammar Gaddafi, Saif al-Islam.

Gaddafi është paditur nga Gjykata e Hagës në lidhje me akuzat për krime lufte, të kryera gjatë trazirave të vitit 2011, që rrëzuan të atin e tij. Ai mbetet nën mbikqyrjen e një milicie lokale, e cila e kapi atë në fund të 2011-s, duke mos u dërguar në paraburgimet shtetërore.

Ky rast, por edhe disa sfida të tjera, tregojnë se Libia nuk është ende gati për të organizuar gjyqin, bëri të ditur dhoma e procedurave paraprake në Hagë.

Në një deklaratë, Gjykata e Hagës ka njohur “përpjekjet domethënëse të Libisë për të rindërtuar institucionet dhe për të rivendosur sundimin e ligjit”. Gjithsesi, Libia vazhdon “të përballet me vështirësi substanciale në ushtrimin e plotë të kompetencave të saj juridike në të gjithë territorin”, thuhej më tej.

Ministri i Drejtësisë, Salah al-Marghani, përsëriti besimin e Libisë se është e drejta e saj për të gjykuar shtetasit e saj, duke folur gjatë një bisede telefonike me BBC. Ai tha se është ende herët për të komentuar mbi këtë vendim, duke e përshkruar atë si një “mosmarrëveshje komplekse”, që kërkon rishikim.

Anëtarë të Gjyqësorit në Libi thonë se është e rëndësishme, që Saif al-Islam të gjykohet për akuzat e krimeve të luftës në vendlindjen e tij, për të rikthyer besimin në drejtësinë libiane.

Top Channel