Biznesmeni indonezian Erick Thohir ka dalë hapur me një ofertë të tijën. Plot 260 milionë euro për 80% të aksioneve të Interit dhe 100 milionë të gatshme për fuqizimin e ekipit në merkato.
Lajmi bëhet i ditur nga një gazetar i “Sole 24 Ore”, duke shtuar se manjati indonezian pret një përgjigje brenda 48 orësh.
Moratti preferon një plan më konservativ: të shësë një minorancë aksionesh në këtë moment dhe të presë që Thohir (në 4-5 vjet) të ndërtojë stadiumin, përpara se t’i dorëzojë edhe pjesën tjetër të aksioneve.
Sipas këtij plani, Moratti do t’i garantonte indonezianëve, me kusht ndërtimin e stadiumit, mazhorancën e aksioneve, por do të donte të kishte siguri se do të mbetej president.
Thohir mund të blejë direkt 20%, ndërsa kalimin përfundimtar ta bëjë më vonë. Një propozim, i cili nuk e kënaq sa duhet manjatin indonezian.
Bazuar në këtë ofertë, Inter duket se është vlerësuar rreth 300 mln euro. Kushti i panegociueshëm i biznesmenit është përfshirja e personave të besuar të tij në postet kryesore të Interit.
Por, letrat janë tashmë në duart e Moratti-t, që brenda pak ditëve duhet të japë një përgjigje ndaj ofertës së bërë.
Top Channel