Kuvendi i Kosovës për herë të parë ka debatuar për Luginën e Preshevës dhe të drejtat e shqiptarëve në këtë pjesë.

Pas më shumë se 5 orë debat, në mungesë kuorumi është shtyrë për një ditë tjetër votimi i një rezolute e propozuar nga thirrësi i këtij debati, deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri dhe e hartuar në bashkëpunim me grupet parlamentare.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se Kuvendi duhet të shkojë përtej nxjerrjes së një rezolute, e cila ka karakter të përkohshëm.

Ai ka propozuar që pjesë e saj të bëhet edhe detyrimi për të ndryshuar Kushtetutën e Kosovës, ku çështja e mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve jashtë Kosovës të sanskionohet një herë e përgjithmonë me Kushtetutë.

“Propozoj që nenit 1 të Kushtetutës t’i shtohet edhe pika 4 dhe të theksohet se, Republika e Kosovës ka të drejtë të interesohet dhe të mbrojë të drejtat legjitime të shqiptarëve jashtë Kosovës me mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë, ligjet dhe aktet ndërkombëtare”, ka deklaruar kryeministri Thaçi.

Por përfshirja e një propozimi të tillë në një rezolutë nuk është mbështetur nga grupi parlamentar i LDK-së dhe Vetëvendosjes, me arsyetimin se ajo nuk është e përshtatshme me këtë rezolutë. Përveç kësaj pike, draftrezoluta parasheh detyrime të tjera për qeverinë e Kosovës në raport me shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Qeveria e Republikës sonë duhet të shtojë kujdesin dhe interesimin shtetëror për përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc, për të të drjetat e tyre civile, politike dhe nacionale”, ka deklaruar deputeti Lutfi Haziri.

Gjatë debatit, ku të pranishëm ishin liderët e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, kryeministri Thaçi ka thënë se nuk nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve me Serbinë pa u realizuar të drejtat legjitime të shqiptarëve atje.

Kurse kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka kërkuar që realizimi i të drejtave etnike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës të bëhet pjesë e marrëveshjes për normalizimin e marrdhënieve Kosovë-Serbi.

“Nëse vertetë ajo marrëveshje ka për qëllim normalizimin e marrdhenieve Kosovë-Serbi, atëherë ajo duhet të bëhet edhe për përmirësimin e raporteve të shiptarëve në përgjithësi, në të dy anët e kufirit. Ndryshe, kjo marrveshje nuk çon në normalizimin e marrëdhënieve për të gjithë qytetarët për këtë pjesë të Ballnkanit”, ka thënë Krasniqi.

“Nëse doni të bëjmë diçka konkrete për ta, unë jam dakord me juve për të bërë diçka konkrete. Mos ta ratifikojmë marrëveshjen e t’i vendosim kushte të qarta Serbisë për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit”, ka thënë Liburn Aliu nga Vetëvendosje.

Deputetët kanë kërkuar angazhim më të madh të Prishtinës dhe Tiranës zyrtare për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe jo vetëm, ndërsa ka pasur edhe deputetë që kanë deklaruar se shqiptarët e asaj pjese janë harruar nga Prishtina dhe Tirana zyrtare.

Sidoqoftë, se kur do të votohet draftrezoluta do të vendoset nga Kryesia e Kuvendit, ndërsa mbetet të shihet nëse varianti i paraqitur të premten do të mbetet i njëjti apo do të ndryshojë.

Top Channel