Irma Kurti është një poete që njihet si krijuese e talentuar e teksteve të këngëve të lehta në festivalet shqiptare, këngë të cilat janë nderuar me çmime e poezitë e tyre kanë mbetur ende tek dashamirësit e muzikës së lehtë.
Gjithsesi, në një intervistë të gjatë për emisionin “Pasdite në Top Channel”, Irma rrëfeu të gjitha zhgënjimet e saj duke vënë theksin tek maskilizmi i kompozitorëve: “Kam bërë rreth 60 tekste këngësh, por mund të bëja 260. Kam pësuar shumë zhgënjime kur hyra në ambientin e Radiotelevizionit. Unë isha e brishtë sepse isha tip i mbyllur, ndërsa ai ambient ishte shumë i emancipuar për mua. Unë doja të bëja më shumë tekste këngësh, por ishte e pamundur. Ka pasur edhe njerëz korrektë kuptohet, por ishin shumë të rrallë. Nuk më shikonin si poete dhe kuptova që të jesh femër është e vështirë të çash në rrugën e artit.”
Poetja vazhdon më tej: “Unë e kisha me shumë qejf të punoja për këngët në festival, por tekstet e mia zëvendësoheshin me të dikujt tjetër në ditët e fundit. Kompozitorët më mbanin me premtime dhe nuk më shihnin si poete, por si femër. Unë isha e brishtë para një bote të egër dhe preferova një cep larg vëmendjes dhe botës së artit. Për këtë arsye shkova të jetoja në Itali.”
Një arsye tjetër e emigrimit të saj ishte edhe humbja e nënës: “Humbja e mamasë ishte një tjetër arsye që u largova. Me të flisja për gjithçka dhe ajo më kuptonte. Ajo ishte një grua e fortë dhe kompozitorëve, po të ishte në vendin tim, do i thonte: “Po ti je burrë i martuar, si ka mundësi që po kërkon diçka të tillë?!”
Irma kujtoi edhe kohën e kaluar në Elbasan duke kritikuar mentalitetin dhe njerëzit që merreshin me thashetheme: “Gjithmonë kam pasur frikë nga thashethemet dhe mentaliteti shqiptar. Kisha frikë të jetoja jetën time sepse mendoja se çfarë do të thonë njerëzit. E kam vuajtur shumë këtë pjesë.”
Poetja nënvizoi se këmbëngulja e babait të saj bëri që t’i përkushtohej poezisë: “Im atë ka qenë shumë këmbëngulës me mua dhe më ka nxitur shumë në rrugën e krijimtarisë. Që kur isha e vogël më pëlqente të shkruaja, por kisha një pasion si shumë fëmijë të tjerë. Mendoj që ishte këmbëngulja e babait që më nxiti më shumë t’i hyja kësaj rruge. Kam ndjerë presion sepse kurrë nuk më linte të shijoja atë që kisha arritur. Gjithmonë më thonte që duhej të arrija edhe më shumë.”
Top Channel