Gjermani, popullsia rezulton më e ulët

31/05/2013 17:10

Gjermania ka zbuluar se ka 1.5 milion banorë më pak nga sa ishte llogaritur pas censusit të parë të kryer që nga unifikimi në vitin 1990.

Të dhënat e reja treguan se popullsia është 80.2 milionë banorë, bëri të ditur zyra federale e statistikave, DESTATIS. Censusi në vendin më të madh të Bashkimit Evropian u krye më 9 maj 2011.

Deri tani, të dhënat e censusit datonin që në kohën e Gjermanisë Perëndimore në vitin 1987 dhe në vitin 1981 për Gjermaninë Lindore.

Të dhënat e reja tregojnë se numri i të huajve me pasaportë gjermane është mbivlerësuar. Numri total i të huajve në Gjermani është 6.2 milionë, 1.1 milion më pak nga sa ishte llogaritur, që përbën 7.7 për qind të popullsisë totale.

Numri i banorëve jo me origjinë gjermane është 15 milionë, rreth 19 për qind e popullsisë totale. Hamburgu ka përpjestimin më të lartë të banorëve me etni të huaj, plot 27.5 për qind.

Shifra për kryeqytetin, Berlinin, është 23.9 për qind, ndërsa në qytetet e Gjermanisë Lindore kuota është më pak se 5 për qind.

Censusi zbuloi gjithashtu se 66.8 për qind e të regjistruarve e konsiderojnë veten të krishterë dhe 10.5 për qind ateistë.

Në Gjermaninë Lindore, personat që nuk kanë një besim janë rreth 33 për qind, shumë më lartë se 6 për qind e regjistruar për Gjermaninë perëndimore.

Vetëm 1.9 për qind e të regjistruarve thanë se ishin myslimanë. Por ekspertët besojnë se shumë myslimanë gjatë proçesit kanë përdorur të drejtën për të mos e deklaruar besimin e tyre, shkruan “Der Spiegel” online.

Top Channel