Marinsi vrasës shmang dënimin me vdekje

30/05/2013 00:00

Një ushtar amerikan i akuzuar për vrasjen e 16 civilëve afganë vitin e kaluar do të vetëdeklarohet fajtor për të shmangur dënimin me vdekje.

Lajmin e ka bërë të ditur avokati i tij, sipas të cilit rreshteri Robert Bales do ta bëjë deklaratën në seancën e 5 qershorit.

Marinsi u largua nga një postobllok në provincën e Kandaharit 11 marsin e vitit 2012 dhe sulmoi me armën e tij banorët e dy fshatrave aty pranë.

Shumica e viktimave ishin gra dhe fëmijë. Familjarë të viktimave deklaruan për “Associated Press” se janë të irrituar nga mundësia që ushtaraku të shmangë dënimin me vdekje.

“Për një gjë të tillë ne do të vrisnim 100 ushtarë amerikanë”, deklaroi Mohammed Wazir, i cili humbi 11 anëtarë të familjes së tij, përfshirë nënën dhe vajzën 2-vjeçare.

“Dënimi me burg nuk do të thotë asgjë. Unë e di që nuk kam fuqi tani, por do të bëhem më i fortë dhe nëse ai nuk varet do ta kryej hakmarrjen time”, tha Said Jan, i cili humbi bashkëshorten dhe tre familjarë në masakër.

Avokatët e rreshterit thonë se ai është penduar për vrasjet, por nuk zbuluan detaje të fjalimit që Bale do të mbajë para gjykatësit në seancën e ardhshme. Avokati John Henry Browne e cilësoi ushtarin si të “çmendur” dhe të “shkatërruar” natën e masakrës.

Gjyqtari i çështjes pritet të aprovojë deklarimin e ushtarit dhe juria ushtarake do të vendosë sipas gjasave burgim të përjetshëm për të, ku mund të përfshihet mundësia e lirimit me kusht.

Top Channel