Në seancën e së enjtes të Kuvendit të Kosovës, deputetët kanë kërkuar
lirimin e menjëhershëm të ish-anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të
Kosovës, të arrestuar pak ditë më parë nga misioni EULEX nën dyshimin
për krime lufte.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra ka deklaruar se arrestimet e fundit janë shndërruar në një dukuri të hidhur për ata që u sakrifikuan për lirinë e Kosovës, duke nënvizuar se këto proçese nuk kanë asnjë bazë.

“Po vazhdon rigjykimi ndaj Fatmir Limajt dhe luftëtarëve të tij, po vazhdon gjyqi ndaj grupit të Llapit, ndërkohë që po përgatitet proçesi ndaj grupit të Drenicës. Në këtë mënyrë po bëhet e qartë tendenca që e tërë Kosova të shndërrohet në një zonë kriminale, duke kriminalizuar luftën e UÇK-së”, ka deklaruar Kodra.

Sipas raportimeve të “RTK”, arrestimet janë kundërshtuar edhe nga deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, i cili ka thënë se arrestimet janë vetëm një tendencë që po i vishet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai është shprehur se, populli i Kosovës kërkon drejtësi dhe jo që të ofrohet diçka tjetër në vend të saj, duke kritikuar më pas misionin EULEX se nuk është një misioin demokratik.

“EULEX-i thjesht po shfrytëzon infrastrukturën e një shteti që njëkohësisht nuk e njeh. Kundërshtimi ndaj EULEX-it është parimor e jo sporadik, i bazuar e jo emocional, i qëndrueshëm e jo momental. Pra, më shumë se kushdo tjetër ne jemi ata që kemi nevojë për drejtësi. Madje, këtë drejtësi e kërkojmë me këmbëngulje”, ka thënë Selimi.

Më herët gjatë muajit gjykatësi i EULEX-it u caktoi nga 30 ditë arrest shtëpie 7 ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga rajoni i Drenicës. Ndërsa të hënën, mijëra ish-pjesëtarë të UÇK-së, përfaqësues të institucioneve, partive politike dhe qytetarë protestuan kundër arrestimeve të tyre.

Top Channel