Irak, valë shpërthimesh, rrezikohet lufta civile

30/05/2013 15:50

Një valë shpërthimesh lanë të vrarë të paktën 30 veta ditën e enjte në Irak, ndërsa situata po degjeneron gjithmonë e më shumë drejt një lufte të plotë civile të motivuar nga urrejtja ndërfetare.

Midis viktimave, mediat irakene bëjnë të ditur se ishte edhe një zyrtar i lartë i shtetit, por ende nuk publikohet identiteti i tij.

Në kryeqytetin Bagdad, shpërthimi i një autobombe la të paktën 16 të vdekur. Viktimat e tjera u regjistruan në disa prej qëndrave të tjera kryesore urbane të Irakut.

Që prej fillimit të muajit maj, si rrjedhojë e përleshjeve midis sunitëve dhe shiitëve, mbi 570 persona janë vrarë në atentate të ndryshme në qytetet kryesore të vendit.

Ndonëse dhuna në Irak mbetet ende larg nivele kulmore të viteve 2006-07 pas tërheqjes së trupave amerikane dhe koalicionit në dhjetor 2011, vendi i Lindjes së Mesme ka përjetuar një përshkallëzim të dhunës fetare, e cila po kërcënon vetë ekzistencën e Irakut, me territorin dhe formën e sotme shtetërore.

Për Irakun, një shtet me 31 milionë banorë, po rezulton problematike ndarja fetare dhe etnike e popullsisë.

Në vend, sipas statistikave, 60% e popullsisë janë shiitë, rreth 35% sunitë dhe 5% tjetër të krishterë apo anëtarë të besimeve të tjera.

Ndërsa etnia është e ndarë në 75% arabë, 20% kurdë, asirianë, turkomanë dhe të tjerë me rreth 5%.

Përleshjet në shtim, me bazë urrejtjen ndërfetare dhe ndëretnike, sipas ekspertëve, po vënë në rrezik edhe vetë ekzistencën e shtetit, pasi Iraku është gjithmonë e më i kërcënuar nga një luftë e mirëfilltë civile, nëse nuk do të merren masa të menjëhershme për të rikthyer rendin në vend.

Top Channel