Avionët pa pilotë në aksion

30/05/2013 00:10

Avionët pa pilotë të CIA-s vunë në shenjestër dhe vranë numrin dy të talebanëve në Pakistan, Vali ur Rehman.

Gjatë sulmit u vranë edhe pesë ekstremistë, të gjithë të fshehur në zonën e Miranshah, në Vaziristanin e Veriut. Sulmi mbyll një përplasje mes Shteteve të Bashkuara dhe terroristëve, e cila nisi 4 vjet më parë, në një bazë amerikane në Afganistan.

Shërbimet sekrete amerikane kishin një motiv më shumë për të ndjekur Rehman. Ishte pikërisht ai, që kishte organizuar një sulm kundër bazës së CIA-s në Kost të Afganistanit, më 30 dhjetor të vitit 2009.

Shtatë agjentë u vranë, përfshirë edhe shefen e bazës, Xhenifer Methjus. Një sulm i kryer nga një kamikaz jordanez. Njeriu-bombë, mjeku Human Al Balaui, kishte bashkëpunuar me shërbimet sekrete amerikane për një periudhë kohe, për të ndihmuar hyrjen e avionëve pa pilotë, por më pas vendosi të kthehet në anën e Kaedistëve.

Një agjent i dyfishtë ose i trefishtë. Në fund mundi të arrijë deri në bazën e CIA-s në Kost me një ofertë të qartë: “Do t’ju bëj të arrini tek Ajman Al Zauahiri”.

Ai u prit brenda bazës amerikane dhe shfrytëzoi momentin për të aktivizuar bombën. Kjo ishte një ngjarje, që goditi CIA-n dhe ndezi polemikat për masat e sigurisë. Më pas u vranë disa terroristë, që lidheshin me ngjarjet në Kost dhe beteja përfundoi me eliminimin fizik të Rehman, për kokën e të cilit ishin 5 milionë dollarë.

Top Channel